Kaos dhe panik në Strasburg/ Si u përplasen dy tramvaje në stacionin qendror? Mbi 50 pasagjerë të plagosur

Një aksident i rëndë me dy tramvaje ka shkaktuar kaos dhe panik pasditen e sotme në stacionin qendror të Strasburgut, Francë. Sipas autoriteteve dhe dëshmitarëve, dy tramvaje janë përplasur ashpër, duke lënë të plagosur të paktën 50 persona, pesë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme.

Si ndodhi përplasja?

Sipas raportimeve fillestare, aksidenti ndodhi kur njëri prej tramvajeve, që po dilte nga tuneli, injoroi një tabelë sinjalistike dhe përfundoi në të njëjtën shinë me një tramvaj tjetër të palëvizshëm, i cili ndodhej në stacion dhe po transportonte pasagjerë.

Mediat lokale raportojnë se dy tramvajet ishin në të njëjtën rrugë, me disa minuta diferencë. Shoferi i tramvajit të parë, duke tentuar të shmangte një grup qytetarësh në linjat e tramvajit, u kthye pas pa vënë re një tabelë ndalimi dhe u përplas me tramvajin tjetër.

Panik mes pasagjerëve

Në momentin e përplasjes, në dy tramvajet ndodheshin mbi 100 pasagjerë, ndërsa shumë të tjerë prisnin të hipnin në platformën e stacionit. Pas aksidentit, situata u bë kaotike, ndërsa dëshmitarët përshkruan momente paniku dhe tensioni. Video nga vendngjarja janë publikuar në rrjetet sociale, duke treguar shkatërrimin e shkaktuar nga përplasja.

Reagimi i autoriteteve

Autoritetet franceze kanë nisur hetime për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit. Ministria e Transportit ka dërguar një ekip ekspertësh në Strasburg për të analizuar situatën dhe për të siguruar që një ngjarje e tillë të mos përsëritet.

Sipas kryebashkiakut të Strasburgut, fatmirësisht nuk ka viktima, por aksidenti ka ngritur shqetësime për sigurinë e transportit publik në qytet. Hetimet do të fokusohen në kontrollin e sinjalistikës dhe veprimet e shoferëve të përfshirë.