Kanosën një vajzë të mitur për një foto personale, tre të rinj bien në pranga – i morën 300 mijë lekë përmes shantazhit

Tre persona janë arrestuar nga Policia pas një operacioni të koduar “Blackmail”, të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, pasi dyshohet se kanë kanosur dhe shantazhuar një vajzë të mitur në rrjetet sociale, duke i kërkuar para në këmbim të mospublikimit të një fotoje personale të saj.

Të arrestuarit janë shtetasi O. N., 19 vjeç, si dhe dy të mitur përkatësisht 17 dhe 14 vjeç, të tre banues në Kamëz. Hetimet tregojnë se të rinjtë kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke i marrë vajzës në kohë të ndryshme një shumë të përgjithshme prej rreth 300.000 lekësh të rinj.

Nga veprimet hetimore është bërë e mundur identifikimi dhe ndalimi i autorëve, ndërsa si prova materiale janë sekuestruar tre aparate celularë.

Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vijimin e veprimeve të mëtejshme procedurale.