Kandidati për deputet, Gazment Koduzi denoncon 4 koncesionet që zhvatën qytetarët: 528 milionë euro në 10 vite, çdo shqiptar ka paguar 220 euro nga xhepi
Gazment Koduzi, kandidati i Koalicionit Euroatlantik në listën e hapur për deputet të Tiranës, ka folur me shifra konkrete për katër koncesionet korruptive që sipas tij janë ndërmarrë nga qeveria duke nisur nga viti 2013.
Së pari koncesioni i Sterilizimit që u ka kushtuar qytetarëve 17.9 milionë euro në vit. Më pas Laboratorët prej 17.5 milionë eurosh në vit duke u ndjekur nga koncesioni i Check Up me 8.7 milionë euro në vit dhe Dializa po me 8.7 milionë euro në vit.
Në total të gjitha këto koncesione u kanë kushtuar qytetarëve shqiptarë, 52.8 milionë euro në vit ose 528 milionë euro në 10 vite. Sipas një përllogaritje, çdo qytetar ka paguar 220 euro nga xhepi i tij për koncesione të tilla ndërkohë që qeveria proklamonte për shëndetësi falas.
Koduzi i cili ka mbajtur më herët postin e zv-drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ka denoncuar vazhdimisht situatën e rëndë ku ndodhej shëndetësia për shkak të koncesioneve korruptive. Që në fillim kandidati i koalicionit Euroatlantik për Tiranën, e ka cilësuar ‘Sterilizimin’ si një ‘koncesion abuzim’ që nuk jepte përfitime konkrete për qytetarët.