Kandidati i PD, Viktor Tushaj: Çdo vit, Shqipërisë i zbrazet një qytet!
Kandidati për deputet në listën e “Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Viktor Tushaj ka renditur problematikat që ka parë gjatë viteve që ka qëndruar në Lezhë.
I ftuar në “Review” në “Euronews”, Tushaj thotë se nga Shqipëria është zbrazur një qytet çdo vit, pasur parasysh që në total janë larguar mbi 1 milionë shqiptarë. Sipas tij, shkak për këtë lëvizje janë bërë pagat dhe pensionet skandaloze, si dhe mosfunksionimi i shkollave dhe spitaleve. Mungesa e medikamenteve është gjithashtu një nga pikat që preku Tushaj.
“Ju falenderoj për mundësinë për të dhënë disa mesazhe edhe për qytetarët e mi. Atmosfera është e qetë, si asnjëherë tjetër. Po bëhet ndryshe nga të gjitha fushatat e tjera, mbase edhe për shkak të kodit elektoral sepse të gjithë po punojnë në një mënyrë tjetër, derë më derë për të bindur qytetarët dhe për të fituar besimin e tyre, ndryshe nga fushatat e tjera që kanë qenë mediatike.
Patjetër që maxhoranca ka mënyrën e saj, që duhet të themi se na e lehtëson pak situatën sepse maxhoranca përballet me atë që ka bërë deri më tani, nuk mundet që pas 12 viteve në pushtet të vijë në zgjedhje me premtime elektorale.
Të rinjtë sidomos i dinë problematikat e zonave, unë i di shumë mirë sepse jetoj në qytetin e Lezhës, edhe pse janë të njëjta në të gjithë vendin,”- tha Tushaj ndër të tjera.
Pjesë nga intervista:
A kërkojnë njerëzit të njëjtat gjëra bazike që kanë kërkuar gjithmonë?
Përgjigje: Kjo është fatkeqësi, të kërkojnë ujë, drita, rrugë, shkollë, që spitali të funksionojë, të ketë ilaçe, të ketë mjaftueshëm infermierë, është fatkeqësi e madhe që pas 30 e kusur vitesh ne përballemi me të njëjtat kërkesa. Ne do të fokusohemi tek gjërat që nuk kanë funksionuar në 12 vitet e fundit, nuk funksionon shkolla në asnjë vend, nuk ka se si të ketë në Lezhë, po ashtu me spitalet. Infrastruktura rrugore lë për të dëshiruar, shpopullimi po ashtu. Të largosh 1 milionë banorë, po ta ndash në vite, do të thotë të largosh 40 mijë banorë në vit. Aq banorë ka Lezha, pra është larguar një qytet në vit. Rrogat dhe pensionet janë skandaloze. Të gjitha këto na e kanë lehtësuar situatën le të themi, në pjesën e fushatës.
Viktor Tushaj, ish-kryebashkiaku i Lezhës është rikthyer në garë për të marrë një tjetër mandat si deputet në Kuvendin e Shqipërisë nga zgjedhjet e 11 majit.
Pas 6 vitesh mungesë në sallën e Kuvendit, Viktor Tushaj garon në listën e hapur të koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.