Kancelari Merz: Gjermania dhe Ukraina do të prodhojnë së bashku armë me rreze të gjatë
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Berlin, kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Gjermania dhe Ukraina do të nisin bashkëprodhimin e armëve të reja me rreze të gjatë veprimi, të cilat do të kenë kapacitet për të goditur objektiva ushtarake edhe në territorin rus.
“Ministrat tanë të Mbrojtjes do të nënshkruajnë sot një memorandum mirëkuptimi në lidhje me prokurimin e sistemeve të armëve me rreze të gjatë të prodhuara në Ukrainë,” u shpreh Merz, duke theksuar se ky projekt është pjesë e një angazhimi më të thellë midis dy vendeve për zhvillimin e teknologjisë ushtarake.
Ai shtoi se “nuk do të ketë kufizime në distancë, duke lejuar Ukrainën të mbrohet plotësisht, madje edhe kundër objektivave ushtarake jashtë territorit të saj.” Kjo lë të kuptohet se objektivat brenda territorit të Federatës Ruse mund të përfshihen në listën e mundshme të goditjeve, në rast të përshkallëzimeve të mëtejshme të konfliktit.
Merz po ashtu njoftoi se prodhimi i këtyre armëve mund të realizohet si në Ukrainë, ashtu edhe në territorin gjerman, por nuk dha detaje të tjera, duke theksuar se informacioni shtesë do të publikohet në një moment të dytë.