Kancelari gjerman Merz në Samitin e Tiranës: Të vazhdojmë t’i japim mbështetje të fortë ushtarake Ukrainës
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, mbajti fjalën e tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Tiranë, duke bërë thirrje për mbështetje të vazhdueshme ndaj Ukrainës në përballjen me agresionin rus.
“Jam i kënaqur që jam këtu dhe kam nderin të jem mes jush për herë të parë në këtë grup të shquar udhëheqësish. Pres bashkëpunimin tonë të ngushtë, jo vetëm sepse na duhet, por sepse jemi të gatshëm për këtë,” tha Merz në hapje të fjalës së tij.
Ai theksoi se konflikti në Ukrainë përbën një sfidë të paprecedentë në dekadën e fundit, duke vënë theksin te rëndësia e mbështetjes ushtarake për këtë vend që gjendet në vështirësi të mëdha.
“Nuk është një luftë vetëm kundër Ukrainës, por një kërcënim ndaj sigurisë sonë të përbashkët. Ne ishim në Kiev, jo vetëm në emrin tonë, por edhe në emrin tuaj, për të treguar vendosmërinë tonë,” shtoi kancelari gjerman.
Merz pranoi se përpjekjet diplomatike deri tani kanë sjellë suksese të kufizuara, por nënvizoi se mbështetja ushtarake duhet të vazhdojë, duke theksuar rëndësinë e unitetit evropian në këtë përballje të gjatë dhe të vështirë.