Kanabisi mjekësor, qeveria miraton 10 zona për kultivim – standardet e rrepta për licencim

Qeveria ka miratuar 10 zona kadastrale ku do të lejohet kultivimi i kanabisit për qëllime industriale dhe mjekësore. Ky vendim, i marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, është pjesë e zbatimit të ligjit nr. 61/2023, i cili synon rregullimin dhe kontrollin e këtij sektori të ri në Shqipëri.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se janë përzgjedhur 10 zona në të gjithë vendin, duke përjashtuar zonat me intensitet të lartë bujqësor si Myzeqeja dhe Korça. Sipas saj, kultivimi do të bëhet në distancë të sigurt nga zonat e banuara dhe institucionet publike.

Kushtet që duhet të plotësojnë subjektet e licencuara

Për të marrë licencën, subjektet duhet të plotësojnë disa standarde të rrepta sigurie, si:

• Monitorim i vazhdueshëm me kamera CCTV, me të dhëna që ruhen për një vit në memorie “Cloud” në një vend të BE-së.

• Sisteme sigurie të avancuara, përfshirë detektorë dhe lidhje të sinjalit të alarmit me Policinë e Shtetit.

• Ruajtje 24 orë nga personel i specializuar.

• Rrethim me mur betoni 25 cm të trashë dhe 4 metra të lartë, me tela me gjemba në sipërfaqet e hapura.

• Kontroll i rreptë në hyrje, përmes një porte hekuri dhe verifikimi të çdo personi e mjeti që hyn në ambient.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare dhe do të zbatohet nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Kanabisit.