Kanabis me postë nga SHBA, Prokuroria e Tiranës zbardh raste në disa qytete! Sekuestrohen 15.2 kg drogë, arrestohen 12 persona

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka goditur një operacion të gjerë trafiku droge që vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë.

Gjatë muajit prill, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Postën Shqiptare, janë zbardhur tetë raste të trafikimit të kanabisit me përqindje të lartë THC, i cili transportohej përmes pakove postare.

Pako të tilla, që përmbanin kanabis, janë dërguar në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Shkodrën, Fierin, Elbasanin dhe Vorën.

Gjatë operacionit, janë sekuestruar 15.2 kilogramë kanabis dhe janë arrestuar 12 persona. Disa prej tyre janë kapur në flagrancë në momentin e tërheqjes së pakove nga degët e Postës Shqiptare, ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim.