“Kampi në Gjadër po zbrazet”, media italiane ngre alarmin: Ku janë 16 emigrantët e zhdukur?!

Kampi i Gjadrit në Lezhë po zbrazet dhe shqetësimi për fatin e emigrantëve po rritet. Sipas raportimit të medias italiane “La Stampa”, nga 41 emigrantët që u transferuan në këtë kamp dy javë më parë, aktualisht ndodhen vetëm 25 persona.

Në artikullin e saj, “La Stampa” thekson se nuk dihet me siguri nëse 16 emigrantët e tjerë janë rikthyer në Itali në pritje të riatdhesimit, apo nëse ndodhen në dhoma izolimi si pasojë e revoltës së ndodhur pak javë më parë në kamp, ku u shkaktuan dëme materiale dhe dy persona mbetën të plagosur lehtë me thikë.

Mungesa e informacionit zyrtar është evidentuar nga Cecilia Strada, anëtare e Parlamentit Europian për Partinë Demokratike në Itali, dhe deputetja Rachele Scarpa, të cilat kryen një inspektim gjatë fundjavës së kaluar. Ato e përshkruan situatën në kamp si “krejtësisht të papërshtatshme” dhe dënuan heshtjen institucionale që e shoqëron këtë çështje.

Avokatja Rosa Guerra, e cila përfaqëson disa nga emigrantët, deklaroi: “Shkova për intervistë dhe klienti im nuk ishte. Nga 41 persona të transferuar, 25 janë aty. Ku janë 16 të tjerët? Nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar.”

Nga rindërtimi i fakteve të kryer nga Strada dhe Scarpa, rezulton se një emigrant u kthye në Itali menjëherë pas mbërritjes në Shqipëri, më 11 prill, ndërsa për 15 të tjerët ende nuk ka sqarim përfundimtar. Besohet se gjashtë prej tyre mund të jenë kthyer gjithashtu në Itali, por informacioni zyrtar mungon.