“Kam vëllain në Ministrinë e Brendshme”/ I premtoi një gruaje punësimin e djalit kundrejt parave, SPAK kërkon burg për Dritan Lleshin
rokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar dënimin me 1 vit burg për Dritan Lleshin, i njohur edhe si Dritan Ndreca, i akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, SPAK ka propozuar uljen e dënimit me 1/3, duke e çuar atë në 8 muaj burg.
Sipas hetimeve të SPAK, Lleshi i ka premtuar një gruaje, A.M., se do të siguronte punësimin e djalit të saj E.N. si inspektor mjedisi në Fier, kundrejt një pagese prej 400.000 lekësh. Ai e ka bindur se kishte një “vëlla” në Ministrinë e Brendshme, me inicialet P.N., nëpërmjet të cilit do të ndërhynte për të siguruar vendin e punës.
Denoncimi ndaj Lleshit është bërë nga bashkëshorti i A.M., A.N., i punësuar në një njësi karburanti në fshatin Gorre të Lushnjës, më 8 tetor 2020 në Drejtorinë Vendore të Policisë.
Në kallëzim thuhet se në qershor 2019 i pandehuri ka marrë 200.000 lekë kapar, duke premtuar se djali do të fitonte konkursin për inspektor mjedisi, fillimisht në qershor e më pas duke shtyrë afatin për shtator të po atij viti.
Nga hetimet rezultoi se Dritan Lleshi, banues në fshatin Ngurrëz e Vogël, Lushnjë, me origjinë nga Puka ose Laçi, kishte lidhje familjare me P.N. (djalë xhaxhai), por nuk kishte asnjë mundësi reale për të ndikuar në emërimin e kërkuar.