“Kam shtëpinë me llamarina”, vendimi për ish-shoferin e Ardi Veliut, shpallet më 31 Janar, bashkëshortja: U bëra gjyshe në burg
Gjykata e Posaçme pritet të shpallë më 31 janar vendimin për Sokol Idrizaj, ish-shoferin e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Idrizaj dhe familja e tij përballen me akuza për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe fshehje të ardhurash, akuza që ata i kanë mohuar kategorikisht.
Gjatë seancës gjyqësore, Idrizaj deklaroi:
“Edhe në komunizëm nuk futej në burg një familje e tërë. Më kanë baltosur mua dhe familjen. Jetoj në një shtëpi me çati llamarine, dhe akuzohem për fshehje të ardhurash me vlera miliona lekë.”
Avokati i tij theksoi se prokuroria ka ngritur në mënyrë të paprecedentë akuzat ndaj gjithë familjes së Idrizajt, përfshirë gruan dhe dy vajzat, ndërkohë që nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme që të mbështesin pretendimet e saj. Sipas tij, çështja është mediatizuar vetëm për faktin se Sokol Idrizaj ka shërbyer si shofer i Ardi Veliut, duke theksuar se Idrizaj ka 35 vite karrierë në polici dhe është i pajisur me certifikatë sigurie.
Bashkëshortja e Idrizajt, Elda Idrizaj, shprehet:
“U bëra gjyshe në burg. Ne jemi një familje e rregullt. Vajza sillte rroba nga Franca për t’i shitur online dhe për të ndihmuar familjen me të ardhura. Na është shkatërruar jeta nga kjo histori.”
Vajza më e madhe, Egi Idrizaj, ka një djalë 1-vjeçar dhe përballet me kërkesën e prokurorisë për 10 vite burg. Ajo deklaroi:
“Ta dija që për një faqe shitjeje online do përfundoja këtu, nuk do merresha fare.”
Ndërkohë, Bora Idrizaj, vetëm 22 vjeç, tha se ka mbetur pa punë dhe se kjo situatë i ka shkaktuar traumë të madhe.
Sipas mbrojtjes, rrobat e ardhura nga Franca janë verifikuar nga autoritetet franceze si të ligjshme dhe jo të vjedhura. Gjithsesi, vendimi përfundimtar pritet të jepet më 31 janar, ndërsa familja Idrizaj vazhdon të mbrojë pafajësinë e saj.