“Kam heshtur mjaft!” – E dashura e Can Yaman trondit me rrëfimin: Kam përjetuar dhunë, më mohohet djali!

DJ italiane dhe modelja Sara Bluma, e dashura e aktorit të njohur turk Can Yaman, ka publikuar së fundmi një deklaratë tronditëse në rrjetet sociale, ku rrëfen për herë të parë dhunën fizike dhe psikologjike që ka përjetuar nga partneri i saj i mëparshëm.

Në një postim të gjatë, ajo shprehet se nuk mund të heshtë më përballë padrejtësive që po i ndodhin dhe se vendosi të flasë publikisht për të mbrojtur të birin dhe për të sqaruar lajmet e rreme që kanë qarkulluar në media.

“Ka ardhur koha t’i themi MJAFT dhunës dhe çdo abuzimi. Ne gratë jemi të forta!”, shkruan Sara, duke theksuar se ish-partneri jo vetëm e ka dhunuar, por tani po i mohon të drejtën për të parë djalin e saj.

Ajo mohon kategorikisht të ketë qenë ndonjëherë e martuar, duke hedhur poshtë zërat që flisnin për një “martesë të fshehtë” dhe “mashtrim ndaj Can Yaman”.

“Ligjërisht nuk kam qenë kurrë e martuar. Marrëdhënia ime e mëparshme ka përfunduar përpara se të njihja Can Yaman”, thekson ajo në deklaratën e saj.

Sara thotë se tani ka dorëzuar gjithçka në duart e avokatëve dhe po ndjek rrugën ligjore për të fituar të drejtën si nënë.

Nga ana tjetër, aktori Can Yaman ka reaguar publikisht duke i dalë në krah të partneres së tij, me një mesazh mbështetës:

“Të dua dhe do të jem gjithmonë në krahun tënd.”

Postimi i Plotë i Sara Bluma

Kam heshtur për një kohë shumë të gjatë, tani është momenti të them versionin tim dhe të sqaroj situatën time. Nuk kam qenë kurrë e martuar ligjërisht. Kam pasur një lidhje nga e cila ka lindur djali im i mrekullueshëm, por marrëdhënia jonë kishte përfunduar para se të njihja partnerin tim aktual.

Gjithmonë jam përpjekur të ruaj një marrëdhënie të mirë me babanë e djalit, për të mirën e vogëlushit tim që e dua më shumë se çdo gjë në këtë botë. Fatkeqësisht, gjatë lidhjes sime të mëparshme, kam përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike, dhe qëndrimi në atë situatë më rrezikonte edhe më shumë.

Tani kam nisur një jetë të re. E dua djalin tim dhe dëshiroj vetëm më të mirën për të. Aktualisht, babai i tij po më pengon të takoj djalin, por kam vendosur të përballem me këtë situatë dhe ia kam lënë gjithçka në dorë avokatëve të mi.

Dua të theksoj se dashuria lind dashuri. Ka ardhur koha t’i themi mjaft dhunës ndaj grave dhe çdo forme abuzimi. Ne gratë jemi të forta dhe duhet të mbështesim njëra-tjetrën, sepse kjo botë shpesh ndërtohet nga dhe për burrat.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që po më qëndrojnë pranë në këtë moment të vështirë. Mbështetja juaj ka shumë rëndësi për mua.