Droga, fenomeni për t’u parandaluar: Gjithçka nis për kuriozitet, ditën tjetër mallkon veten

Për numrin e të rinjve që konsumojnë lëndë narkotike në Shqipëri nuk ka të dhëna zyrtare, por vitin e kaluar organizatat e fushës thanë se ky bilanc raportohet që arriti në 70 mijë.

Tryezat me ekspertë vendas e të huaj e vënë theksin te ndërgjegjësimi si çelësi për parandalimin e këtij fenomeni.

“Jetë shqiptare” solli të enjten në RTSH rrëfimin ekskluziv të një të riu, i cili dikur ra vetë viktimë e drogës.

Isha 18 vjeç kur e provova për herë të parë. U bëra kurioz. Ishte efekt i çuditshëm. Ditën tjetër mallkon veten,” kujton i riu.

Të rinjtë drejt kësaj rruge të errët i shtyn ndjesia për risi, por edhe adrenalina për ta bashkëndarë përvojën me shoqërinë.

Ndoshta janë problemet në familje që të vegjël. Pastaj janë ‘pseudolacat’ e Shqipërisë që e bëjnë këtë gjë se është e shtrenjtë, është gjë luksi me pak fjalë,” thotë i riu.

Konsumimi i drogës ka efektet e veta anësore, të cilat degradojnë me kalimin e kohës.

Kam parë njerëz që kanë konsumuar droga sintetike, kërpudha etj. por ato më kanë frikësuar, sepse del komplet jashtë orbite. Lëviz nga vendi, bebet e syve të hapen shumë, kalon në paranojë,” shprehet ai.

Çfarë mbetet shqetësuese për këtë fenomen është përhapja e tij, pranon djali i ri.

Varet me kë shoqërohesh. Nëse ke njerëz që e konsumojnë, është ideja që ata të respektojnë me ‘një vizë’. Në çdo lokal të Tiranës kështu funksionon, nga pronari te banakieri: të gjithë të respektojnë me ‘një vizë’. Çdo pallat ka një spaçator,” zbuloi ai për “Jetë shqiptare”.

Ndonëse numri i përdoruesve të drogës në Shqipëri, prej më të lehtave e deri tek më të fortat, ka shënuar rritje, mjekët dhe ekspertët e shohin zgjidhjen te ky zinxhir: personi, familja, mjekët, psikologët/rtsh.al