Kallashnikovë, granata dhe dokumente false/ Trafik drejt Maqedonisë së Veriut, në pranga “truri” i grupit dhe dy bashkëpunëtorët (EMRAT)

Një operacion policor ka goditur një rrjet të trafikut të armëve dhe falsifikimit të dokumenteve në Elbasan dhe Gramsh, duke çuar në arrestimin e tre personave.

Të ndaluarit janë:
• Dhimitër Peqini, 59 vjeç, organizatori i trafikut të armëve dhe falsifikimit të dokumenteve.
• Elban Coniku, 52 vjeç, bashkëpunëtor në trafikimin e armëve.
• Artan Lila, 47 vjeç, i përfshirë në falsifikimin e dokumenteve.

Operacioni i koduar “Organizatori” u zhvillua pas një hetimi 4-mujor nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Prokurorinë. Në momentin e kapjes në fshatin Çekin të Gramshit, në bagazhet e automjeteve të të arrestuarve u gjetën:
• 3 kallashnikovë,
• 3320 fishekë luftarak,
• 1 granatë defensive.

Nga hetimet rezulton se armët dhe municioni do të trafikoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.

Gjithashtu, në banesën e 47-vjeçarit Artan Lila u zbuluan 20 dokumente të falsifikuara, përfshirë pasaporta, karta identiteti dhe leje qëndrimi shqiptare, bullgare dhe maqedonase, si dhe pajisje për falsifikimin e tyre.

Policia vijon hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.