Kakavijë/ Kapen me mbi 60 kg kanabis në makinë, arrestohen dy persona nga Fier

Policia Kufitare e Kakavijës ka finalizuar operacionin e koduar “Modifikimi”, duke goditur një tentativë për trafikim droge drejt Greqisë.

Gjatë kontrolleve me teknologji dhe qen antidrogë, në një automjet u zbuluan 60 pako me kanabis sativa, me peshë totale 63.2 kilogramë. Lënda narkotike ishte fshehur në parafangot dhe shasinë e mjetit.

Si rezultat, u arrestuan në flagrancë shoferi O. K., 44 vjeç, dhe pasagjerja E. Xh., 45 vjeçe, të dy banues në Fier.

Policia sekuestroi gjithashtu 1890 euro, tre celularë dhe automjetin e përdorur për trafikimin e drogës. Hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.