Jose Mourinho mbulohet me para nga Al Nassr, merr ofertën e majme

Jose Mourinho është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Al Nassr.

Portugezi konsiderohet si objektivi real nga skuadra arabe, e cila është gati për të bërë çmendurinë e radhës.

Sipas mediave sportive, Special One mund t’i kushtojë arkave të klubit rreth 100 milionë euro, shifër që do të paguhet gjatë dy viteve.

Një ofertë që do e bënte 60-vjeçarin trajnerin më të paguar në botë, pasi do të siguronte rreth 50 milionë euro në sezon pa përfshirë këtu bonuset.

E përditshmja spanjolle “AS”, e konsideron Mourinhon si propozimin e yllit të skuadrës, Cristiano Ronaldo. Për sulmuesin do të ishte një ribashkim me ish-trajnerin e tij tek Real Madrid.

Me binomin portugez në stol dhe në fushë, Al Nassr do të synonte rikthimin tek titulli kampion, që duket se tashmë po shndërrohet në mision të pamundur.