Joe Biden: Amerikë të dhashë më të mirën time/ Presidenti amerikan mban fjalim lamtumire në Konventën Demokratike

Në nje fjalim emocionues lamtumire, presidenti amerikan Joe Biden doli në qendër të skenës në Konventën Demokratike në Michigan duke tërhequr një ovacion të gjerë nga besnikët e parties dhe jo vetëm. Duke fshirë lotët pasi një fjalimi emocionues nga vajza e tij Ashley, Biden përshëndeti të pranishmit në Konventën Demokratike dhe u shpreh “A jeni gati të votoni për lirinë? A jeni gati të votoni për demokracinë dhe për Amerikën? Më lejoni t’ju pyes, a jeni gati të zgjidhni Kamala Harris dhe Tim Walz?” tha Biden.

Biden ofroi një panoramë të plotë të arritjeve gjatë administratës së tij si dhe pranoi gabimet duke prekur shumë nga temat për të cilat ai bëri fushatë në vitin 2020.

 JOE BIDEN PRESIDENT I SHBA-VE: Ka qenë nderi i jetës sime të shërbej si presidenti juaj. Kandidova në vitin 2020 për shkak të atyre çfarë pashë në Charlottesville në gusht 2017, kur ekstremistët u shfaqën me simbole naziste dhe me slogane anti-semite. Ne e shpëtuam demokracinë në vitin 2020 dhe duhet ta shpëtojmë atë përsëri në 2024. Është në duart tuaja.

Ai rikujtoi momentet e vështira kur bërI betimin për të marrë detyrën e presidentit, mes periudhës së vështirë të pandemisë dhe atyre që i quajti kërcënime ndaj demokracisë amerikane.

 JOE BIDEN PRESIDENT I SHBA-VE: Besoja atëherë dhe besoj tani, se progresi ishte dhe është i mundur, ashtu siç është i arritshëm dhe se ditët tona më të mira janë ende përpara. Dimrin e kemi lënë pas. Qëndroj përpara jush me zemër mirënjohëse për të raportuar se demokracia ka mbizotëruar.

Ai u shpreh se kandidoi për një Amerikë me shanse të barabarta për të gjithë për të mos u rikthyer tek urrejtja dhe dhuna e çfarëdolloj forme. Pasi radhiti arritjet për programet sociale, përfaqësimin e pakicave në gjyqësor, rikonsolidimin e ekonomisë të goditur nga pandemia, Presidenti Biden u zotua se Harris do t’u kundërvihet në skenën ndërkombëtare regjimeve totalitare.

 JOE BIDEON PRESIDENT I SHBA-VE: Asnjë komandant i përgjithshëm nuk duhet të përkulet përpara një diktatori siç vepron Trump-i me Putinin. Unë nuk e kam bërë kurrë këtë dhe ju premtoj se Kamala Harris nuk do ta bëjë këtë kurrë.

Surprizë ishte edhe hyrja e zv/presidentes Kamala Harris në skenë e cila  falenderoi Biden për punën e tij në administratë.

 KAMALA HARRIS ZV/PRESIDENTE E SHBA-SË:  Joe Biden faleminderit për udhëheqjen tuaj historike. Ju jemi mirënjohës përgjithmonë, Joe unë shoh bukurinë e kombit tonë të madh. Njerëzit nga çdo cep i vendit tonë janë të bashkuar nga vizioni ynë i përbashkët për të ardhmen e vendit tonë .

Kreu i Shtëpisë së Bardhë kritikoi ashpër kandidatin republikan për president, Donald Trump, se e la Evropën dhe NATO-n në gjendje të dobësuar dhe se u desh shumë punë për ta forcuar Evropën sërish dhe madje për ta zgjeruar NATO-n me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

Duke denoncuar dhunën ndaj Kapitolit më 6 janar 2021 dhe duke e cilësuar Trump si rrezik për demokracinë, ai bëri thirrje që të votohet për kandidaten demokrate për presidente Kamala Harris e cila do të bëjë histori.

Mes të tjerash duke mos e lënë pas luftën në Lindjen e Mesme, Biden pranoi zemërimin e mijëra protestuesve pro-palestinezë që u mblodhën jashtë sallës së kongresit duke thënë se ai ka punuar pa pushim për të arritur një armëpushim. Ai e përfundoi fjalimin e tij me një frazë që e ka përsëritur dhjetëra herë gjatë viteve të fundit: se Amerika “është një komb i mundësive” ​. Një falenderim për punën e tij gjatë qëndrimit në detyrë e bëri edhe Hillary Clinton e cila ofroi nderimin e saj duke i thënë turmës se Biden i kishte kthyer dinjitetin dhe kompetencat e duhura Shtëpisë së Bardhë.