Jetët e pafajshme nën plumba, Shqipëria në kthetrat e Mafias

Flutura Basha ishte viktima e radhës e pafajshme e grupeve kriminale në vend. 56-vjeçarja po udhëtonte në motor së bashku me bashkëshortin e plagosur rëndë teksa breshëria e automatikut i mori jetën dy emrave tepër të njohur për drejtësinë, Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Saga e viktimave të pafajshme është e shumtë në vitet e fundit. Për këtë fakt, në Shkodër do të zhvillohet një protestë soleme në kujtim të këtyre viktimave dhe kujdes më të shtuar.

Ky është Myzerim Zeneli, djaloshi 20 vjeçar i cili humbi jetën dje në Velipojë ku sherri për sipërfaqen e rërës që shfrytëzohet për shezllone la të vdekur 4 persona ndërsa 2 të tjerë u plagosën. Për të ishte dita e parë e punës në hotelin e Gocajve por dhe e fundit e jetës së tij. Djali jetim jetonte me të ëmën dhe të vëllanë në lagjen Bahçallëk. Të atin e kishte humbur kohë më parë pasi ishte mbytur në lumin Drin. Ende janë shumë rrethana të ngjarjes por nga ajo cfarë dihet është se 30 minuta pas mesnatës së të shtunës (27 qershor 2021) vëllezërit Ferracaku kanë shkuar në oborrin e hotelit Gocaj për të sqaruar konfliktin. Me të dëgjuar të shtënat ai ka dalë nga dhoma e tij dhe është gjendur mes plumbave.

Tritoli vret fqinjin e pafajshëm

29-vjeçari Enea Thomaraj, viktima e pafajshme e një shpërthimi me tritol që ndodhi në më 14 Korrik në qytetin e Elbasanit. Ai ishte fqinj i motrave Xhovana dhe Alda Nikolli, të cilat ishin shënjestër e atentatit me tritol të regjistruar në orët e para të mëngjesit të 14 Korrikut. Enea Thomaraj ishte duke shkuar në tualet në momentin që ndodhi shpërthimi me tritol, dhe si pasojë e shpërthimit të fortë, dera e banesës së tij u shemb dhe i shkaktoi dëmtime të rënda në kokë. Për rreth 3 muaj ai u mbajt në reanimacionin e spiralit të Traumës në Tiranë, ku pavarësisht përpjekjeve të mjekëve ai nuk mundi që të mbijetonte. Familja është në shok nga kjo humbje e parakohshme, aq më tepër në rrethana të tilla, ku djali i tyre ishte tërësisht i pafajshëm, dhe pa asnjë lidhje me ngjarjet e motrave Nikolli.

Vrasja e kamarierit Gledio Muka dhe klienti, Marsel Çela

Mbrëmjen e 21 korrikut 2024, në një lokal në Memaliaj, mbetën të vrarë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa. Por, po ashtu, u vranë edhe kamarieri Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela, të dy të pafajshëm dhe pa asnjë lidhje me botën e krimit.

Vrasja e banakieres Mimoza Pajës në Don Bosko

Mimoza Paja po punonte për të siguruar ‘bukën e gojës’, kur një breshëri plumbash i mori jetën. Ngjarja u regjistrua më 12 mars të vitit 2023, ku një autmojet qëlloi me breshëri drejt lokalit ku e ndjera ishte e punësuar.

Po ashtu, e gjendur në skenën e krimit ishte edhe mbesa e saj e mitur, e cila mori lëndime nga thyerja e xhamave. Ndërsa 5 persona të tjerë morën plagë në pjesë të ndryshme të trupit nga plumbat, por fatmirësisht nuk rezultuan në fatalitet.

Lokali ishte në pronësi të Fatjon Muratit, i dyshuar si i përfshirë në masakrën e Fushë-Krujës, ku u ekzekutuan Brilant Martinaj, Besmir Haxhia dhe Diklen Vata.

Shumë viktima, asnjë autor

Këto janë vetëm disa nga rastet fatale, ku qytetarë të pafajshëm janë vrarë nga krimi i organizuar, ndonëse nuk ishin objektiv i këtij të fundit.

Në kohën dhe vendin e gabuar, viktimat lanë pas dhimbje të madhe për familjet e tyre, por edhe pasiguri të shumta mbi sigurinë e qytetarëve në vend.

Ndonëse ngjarjet kanë tronditur opinionin publik, për asnjë nga të vrarët nuk është bërë drejtësi, pasi ende nuk ka asnjë të arrestuar mbi këto atentate