“Jetën e jap, terrorin nuk e pranoj”/ G-Bani kërcënohet pas mbështetjes për Gjestin dhe distancimit nga Jozi

Reperi i njohur shqiptar G-Bani ka reaguar publikisht në rrjetet sociale, duke denoncuar kërcënime që i janë bërë pas qëndrimit të tij në mbështetje të Gjestit dhe kundër aktit të dhunës të ushtruar nga Jozefin Marku.

Sipas tij, kërcënimet kanë ardhur nga persona që pretendojnë të jenë të lidhur me Jozin, ndërsa ai thekson se nuk ndikohet nga presioni apo frika dhe do të vazhdojë të shprehë bindjet e tij lirshëm.

“Kanë fillu kërcënimet e para nga njerëz që asociohen me Jozin siç thonë. Gjithë ju që kërcënoni, jetën e jap dhe terrorin nuk e pranoj. Jetën e jap, hajde, jetën e jap! Mendimin tim do ta them gjithmonë”, është shprehur G-Bani në një video në Insatastory.

Ai e ka cilësuar të papranueshëm veprimin e Jozit, duke u distancuar në mënyrë të prerë nga ky lloj sjelljeje dhe duke nënvizuar se nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me persona që ushtrojnë dhunë.

“Kjo që ka bërë është e papranueshme. Jam kundër, nuk do ta bëja kurrë, distancohem nga ajo gjë 1000%, as nuk dua lidhje fare me një njeri që sillet ashtu. Ishte pabesi.”

G-Bani iu drejtua edhe fansave të tij, një pjesë e të cilëve e kanë kritikuar për qëndrimin që ka marrë pas ngjarjes. Ai i ftoi ata që e mbështesin për shkak të dhunës, të largohen, pasi ai nuk identifikohet me këtë lloj mentaliteti.

“Nëse jeni mbështetësit e mi për atë fakt, nëse jeni fansat e mi veç për atë gjë që kam bërë me Gjestin, ikni, se nuk jeni fansat e mi e as nuk dua t’u kem.”