Jepet tenderi sekret për mjekësinë! 2 mln euro pa garë

Tenderat sekretë dhe të mbyllur vijojnë për mjekësinë, edhe pse koha e pandemisë së Covid-19 ka kaluar.

Rasti i fundit është ai me Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, e cila do të ketë tashmë një sistem për mirëmbajtjen e informacionit të Shëndetit Publik.

Një shërbim ndryshe, ku sipas dokumenteve të publikuara nga VoxNews, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka bërë një procedurë tjetër të mbyllur, me negocim pa shpallje për tenderin me vlerë rreth 2 milionë euro.

Objekti i tenderit është “mirëmbajtja e sistemit të informacionit të Shëndetit Publik për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Vlera totale përfundimtare e kontratës është plot 194.400.000 lekë me TVSH, ose rreth 2 milionë euro. Këto para do t’i jepen firmës ONI SHPK, me adresë në lagjen “Vasil Shanto” në qytetin e Shkodrës. Firma zotërohet nga Fatjon dhe Reshat Koçkiçi. Kontrata është nënshkruar në datë 20 mars 2025. Mësohet se ka dyshime se e gjitha kjo shumë parash është një shtesë fondi për këtë projekt, edhe pse nuk jepen të dhëna se përse kjo shumë e majme është dhënë me një procedurë të mbyllur./ZËRI