“Jeni të dobët, po bëni gjenocid!” – Deputeti izraelit proteston në parlament, nxirret me forcë nga salla
Deputeti arabo-izraelit Ayman Odeh është nxjerrë me forcë nga salla e parlamentit izraelit (Knesset) pas një fjalimi të zjarrtë ku kritikoi ashpër ndërhyrjen ushtarake të Izraelit në Gaza. Gjatë deklaratës së tij nga foltorja, Odeh e cilësoi veprimin e Izraelit si një “gjenocid” ndaj popullit palestinez, duke akuzuar qeverinë se ka vrarë mijëra civilë pa arritur asnjë rezultat politik.
“Pas më shumë se një viti e gjysmë lufte, në të cilën janë vrarë mijëra fëmijë dhe dhjetëra mijëra civilë, keni rrënuar institucione arsimore si universitetet dhe prapëseprapë nuk keni arritur asgjë politikisht. Për këtë arsye keni humbur çdo arsyetim,” u shpreh Odeh mes ndërhyrjeve dhe reagimeve të ashpra nga deputetë të tjerë të parlamentit.
Pas largimit të tij nga salla, Odeh reagoi në rrjetin social “X” (ish-Twitter), ku tha se nuk ishte përjashtuar për shkelje të rregullave të Kuvendit, por sepse kishte thënë të vërtetën.
“Nuk më nxorën jashtë sepse theva ndonjë rregull, por sepse thashë të vërtetën. Shtatëdhjetë e shtatë vjet pas Nakbës, bota po sheh një tragjedi tjetër të përmasave të mëdha që po ndodh në Gaza. Mund të më ndalni mua, por nuk mund të heshtni zërin e popullit palestinez, as të ndërgjegjes globale,” shkroi ai.