“Jemi Europa e Ballkanit, marrim mbi 71 mandate”, Rama: Burrat që mbështesin kënetën janë çyrykë e thashë …
Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste të zhvilluar mbrëmjen e së dielës në Review në Euronews Albania, sqaroi një deklaratë të mëparshme që ka ngjallur debat, ku ai ishte akuzuar se kishte ofenduar burrat shqiptarë.
Rama tha se komenti ishte bërë me humor dhe nuk kishte për qëllim të ishte personal apo fyese.
“Unë nuk kam etiketuar burrat si çyrykë. Unë kam thënë për të ndarë Shqipërinë në BE nga këneta. Unë kam thënë që ne kemi 56% të grave dhe vajzave që na mbështesin, për mua është vlerësimi më i madh i mundshëm. Te burrat diferenca është më e ngushtë, dhe unë kam thënë që mbështesin kënetën sepse janë çyrykë. E kam thënë me humor, me humorin që është më shumë se gjysma e të vërtetës dhe e kam thënë politikisht, askush nuk duhet ta marr personalisht”,-tha kryeministri Rama.
I pyetur mbi pozicionin e Shqipërisë mes dinamikave të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, Rama theksoi se Shqipëria është pjesë e “Europës së Ballkanit” dhe qëndrimi i saj në politikën e jashtme është në përputhje të plotë me atë të BE-së. Si shembull, ai përmendi qëndrimin e Shqipërisë ndaj konfliktit në Gaza.
“Ne jemi Europa e Ballkanit, në kokën time ne jemi europa e Ballkanit dhe do të punojmë që të bëhemi Europa e Ballkanit. Ama ne nuk jemi Gjermania. Po marr rastin e konfliktit në Gaza. Konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Ne në mënyrë konstante nga fillimi deri në fund, kemi qëndruar në të njëjtën linjë me Bashkimin Europian dhe jo në të njëjtën vijë në ndonjë rast me Shtetet e Bashkuara dhe me Izraelin, këtë ua kemi bërë shumë të qartë edhe të tjerëve. Ua kemi bërë shumë të qartë edhe partnerëve strategjik, edhe miqve të Izraelit, këtu jo, kjo është vijë, ne jemi evropian dhe ne nuk lëvizim nga kjo. Sepse këtu mbyllet gjithë harku i profecisë së Gjergj Kastriotit,” tha ai.
Në fund, Rama u shpreh i sigurt për fitoren në zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se Partia Socialiste nuk diskuton 71 mandatet, por synon një mesazh të fuqishëm kombëtar që do të mbështesë përmbylljen e negociatave me Bashkimin Europian deri në vitin 2027.
“Ne si komb shqiptar, ne si popull i Shqipërisë këtu, të dielën kemi takim me historinë. Nuk është për Partinë Socialiste as për partinë e kënetës, është për historinë. Partia Socialiste, 71 mandate nuk i diskuton.
Këtu nuk bëhet fjalë për 71-shin por për një mesazh force të popullit shqiptar në raport me Europën. Për një mesazh force që të krijojmë këtu një fuqi të përqendruar deri në 2027 te negociatat. Ne na ka ndodhur ajo që nuk i ndodh çdo gjenerate. Na e solli fati në dorë që për dy vite të mbyllim negociatat me BE-në që deri dje nuk e hapte derën” përfundoi ai.