“Jemi aq idealistë për BE-në, sa dashuria e dikujt për martesën”, Rama: Nuk ka plan B për rrugëtimin tonë! E kam provuar dhe m’u desh të rimartohesha
Kryeministri Edi Rama ka folur sot për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e krahasuar këtë proces me dëshirën e dikujt për t’u martuar përpara se ta provojë.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se shqiptarët mbeten ende shumë idealistë për BE-në, por shtoi se nuk ka një “plan B” për këtë rrugëtim.
“Sigurisht nuk jemi naivë, por jemi ende idealistë për BE-në, kjo është e sigurt. Jemi aq idealistë sa dikush që dashurohet me idenë e martesës para se ta provojë. Por përvoja më ka mësuar se nuk ka plan B për martesën… e kam provuar dhe më është dashur të rimartohesha. Kështu që pak a shumë, kjo është edhe qasja ime për BE-në,” u shpreh Rama.
Kryeministri tha gjithashtu se Europa ndodhet në një moment kritik, ku duhet të bëjë hapa përpara drejt një transformimi të thellë. “Nuk është më çështje përshtatjeje, por një ndryshim i madh që po ndodh,” përfundoi ai.