Jared Kushner: Rama e ka bërë Shqipërinë një vend të sigurt për investime, do ndërtojmë diçka spektakolare në Sazan

Jared Kushner, dhëndëri i presidentit amerikan Donald Trump dhe CEO i “Affinity Partners”, ka vlerësuar rolin e kryeministrit Edi Rama në krijimin e një klime të favorshme për investime në Shqipëri. Gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar që po mbahet në Tiranë, Kushner e përshkroi Ramën si një lider të aftë dhe vizionar.

“Edi është një politikan shumë i aftë, lider i zgjuar. Na tregoi se çfarë mund të bëjë një artist me një vend. Ata do të ndërtojnë një aeroport në Vlorë, dhe kjo është një mundësi shumë e madhe për t’u shfrytëzuar në rajon. Erdha nga dëshira për të ndërtuar diçka unike për botën,” tha Kushner.

Ai foli gjithashtu për projektin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, për të cilin theksoi se ka kaluar një vit në studime tregu dhe analiza demografike për të kuptuar potencialin e rajonit.

“Isha shumë i tërhequr nga rajoni dhe zhvillimet rajonale demografike. Shpenzuam 1 vit me studim tregu, demografinë. Pas një analize rezultoi se mjedisi ishte perfekt. Shumë njerëz më kanë pyetur pse po investojmë në Shqipëri. Shumë veprime të qeverisë po ndryshojnë klimën e jetesës, ato përkthehen në rroga më të larta, në më shumë mirëqenie.

Është një lokacion perfekt. Shumë pak km larg Italisë, 10 minuta distancë nga aeroporti i ri. Do të ndërtojmë diçka spektakolare dhe do e prezantojmë së shpejti. Kush do e vizitojë resortin? Së pari unë me gruan. Do ndërtojmë një komunitet të shkëlqyer dhe do tërheqim markat më prestigjioze në botë,” tha ai.