‘Janë të aftë’- Kryebashkiaku i Konispolit nuk i bindet Ramës: Drejtorët nuk i shkarkoj

Teksa në vend ka nisur aksioni për shkarkimin e drejtorëve të bashkisë, kryetari i Bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, nuk i është bindur kërkesës së kreut të qeverisë.

Dule në një intervistë deklaroi se drejtorët në bashkinë që ai drejton janë të rinj dhe nuk po performojnë keq, duke nënkuptuar se nuk ka ndërmend t’i shkarkojë.

Ndërsa theksoi se kërkesa e kryeministrit Edi Rama është keqkuptuar në media.

Ndërkohë, në Sarandë është shënuar një valë dorëheqjesh, ku nënkryetarët, administratorët dhe drejtorët e Bashkisë kanë lënë detyrat e tyre.

Kjo lëvizje vjen pas ultimatumit të dhënë më herët nga kryeministri Rama për riorganizimin e administratave lokale.