“Janë marrë disa informacione…”, SPAK: Hakerat tentuan të hyjnë në e-mailin e Dumanit, por nuk prekën sistemin IT

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi se ka zbuluar një tentativë ndërhyrje të paligjshme në adresat e e-mail-eve të disa prokurorëve të posaçëm, përfshirë edhe atë të Drejtuesit, Altin Dumani. Sipas njoftimit, ndërhyrja ka ndodhur më 12 mars 2025 dhe ka prekur vetëm disa adresa të e-mail-eve, ndërsa sistemi i brendshëm i SPAK ka mbetur i paprekur, falë masave të sigurisë.

Pjesëmarrësit në këtë akt kanë mundur të marrin disa informacione, por nuk kanë siguruar akses në dosjet hetimore. Pas një hetimi intensiv, janë arrestuar dy individë brenda 24 orëve: njëri për ndërhyrjen në e-mail-e dhe tjetri për shpërndarjen e informacionit. Pajisjet dhe skedarët e përdorur janë sekuestruar.

SPAK ka njoftuar se janë marrë masa shtesë për forcimin e protokolleve mbrojtëse dhe për ruajtjen e integritetit të infrastrukturës së institucionit. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur një mundshëm grup kriminal të organizuar.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mori informacion në datën 12 mars 2025 se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-eve të prokurorëve të posaçëm. Falë masave të sigurisë, nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili mbetet i pacënuar.

Nga verifikimet, ka rezultuar se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit. Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, por pa sukses.

Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të Ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në e-mail-e dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i paisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.

Prokurori i çështjes, me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor, ka urdhëruar personat të cilët kanë rënë në posedim të këtyre informacioneve të mos i publikojnë ato. Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe individë të tjerë që mund të kenë pasur lidhje me personat e arrestuar dhe kanë poseduar informacionet.

Paralelisht me procedimin penal, Prokuroria e Posaçme nisi hetimin e brendshëm administrativ, i cili konfirmoi se  sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk është cënuar. Njëkohësisht, janë marrë masa shtesë për forcimin e protokolleve mbrojtëse të sistemit të përgjithshëm të IT-së të institucionit.

Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë të dhënë që personat e arrestuar të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të SPAK.

SPAK siguron publikun dhe të gjitha palët e interesuara se janë marrë të gjitha masat për të mbrojtur dosjet, të dhënat e ndjeshme dhe për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së  institucionit.

Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë në kuadër të dyshimeve për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.