“Janë konstatuar vonesa në afishimin e listave”/ KQZ i kërkon bashkive dhe Ministrisë së Brendshme masa për respektimin e afateve ligjore për zgjedhjet e 11 majit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shprehur shqetësim për vonesat në përmbushjen e afateve ligjore nga bashkitë e vendit në lidhje me zgjedhjet e 11 majit 2025. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka theksuar në një reagim në Facebook se është e domosdoshme që bashkitë të ndërmarrin masa të menjëhershme për respektimin e afateve dhe kërkesave ligjore.

Nga monitorimi i KQZ, janë konstatuar disa problematika, përfshirë vonesat në afishimin e listave të zgjedhësve në disa bashki, vështirësitë në aksesimin e zgjedhësve me aftësi të kufizuara, si dhe mungesën e informacionit për caktimin e Qendrave të Votimit (QV) dhe njoftimin e zgjedhësve. KQZ ka kërkuar nga bashkitë që të përfundojnë raportimin e vendndodhjes së QV-ve brenda afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Për më tepër, KQZ ka kërkuar edhe nga Ministria e Brendshme lehtësimin e procesit të njoftimit të zgjedhësve, për të siguruar që ky proces të realizohet brenda afateve ligjore, të cilat përfundojnë më 6 mars 2025.

Reagimi i Celibashit

Duke marrë në konsideratë detyrimet që burojnë nga Kodi Zgjedhor, lidhur me publikimin e listave të zgjedhësve, njoftimin me shkrim të zgjedhësve dhe raportimin për vendndodhjen e qendrave të votimit (QV), është e nevojshme të merren masa të menjëhershme nga ana e bashkive për respektimin e afateve dhe kërkesave ligjore.

– Ka vështirësi në aksesimin e zgjedhësve me aftësi të kufizuara.

– Informacioni për caktimin e QV-ve dhe njoftimi i zgjedhësve ende nuk është raportuar.

Procesi i njoftimit të zgjedhësve nuk ka filluar në shumicën e bashkive për shkak të mungesës së fondeve dhe modelit të njoftimit, ndërsa afati për përfundimin e tij është 6 mars 2025.

Për të adresuar problematikat e sipërcituara, KQZ i kërkon bashkive:

Të përfundojnë raportimin e caktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit brenda afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Gjithashtu, i kërkon Ministrisë së Brendshme lehtësimin e procesi të njoftimit të zgjedhësve për të siguruar që ky proces të realizohet brenda afateve ligjore.