Jamarbër Malltezi kërkon revokimin e masës “arrest në shtëpi” në Gjykatën e Lartë

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit, Sali Berisha, i pandehur në dosjen “Partizani”  ka bërë kërkesën për revokimin e masës së sigurisë tashmë që dosja ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Posaçme.

Avokatët e Malltezit argumentojnë se tashmë çështja ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Posaçme dhe nuk ekzistojnë më kushtet për mbajtjen e kësaj mase.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Jamarbër Malltezi që prej muajit nëntor të vitit 2023 është lënë në “arrest shtëpie” me vendim të gjyqtares Ilirjana Olldashi, e cila ndryshoi vendimin e shkallës së parë, duke e liruar nga burgu.

Berisha, dhëndri i tij dhe 3 të tjerë, mes tyre dy biznesmenë ortak të Malltezit në ndërtimin e komplekseve të pallateve miliona euro, janë marrë të pandehur dhe kanë kaluar në proces gjyqësor me disa akuza. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, kurse Malltezi për pastrim parash mes të tjerash.