“Jam shumë i zhgënjyer” – Trump pas telefonatës me Putinin: Ai nuk mendon ta ndalë luftën, është një gjë shumë e keqe!

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka reaguar ashpër pas një telefonate që zhvilloi të mërkurën (3 korrik) me presidentin rus Vladimir Putin, duke deklaruar se është thellësisht i zhgënjyer nga qëndrimi i kreut të Kremlinit për luftën në Ukrainë.

“Jam shumë i zhgënjyer nga biseda që pata sot me Presidentin Putin. Ai nuk po mendon të ndalet dhe kjo është shumë keq”, u shpreh Trump përpara gazetarëve pas kthimit të tij në Uashington nga një vizitë në Iowa. “Nuk kam bërë asnjë përparim me të,” shtoi ai.

Sipas presidentit amerikan, telefonata mes tyre zgjati rreth një orë, por nuk përfshiu diskutime mbi vendimin e fundit të SHBA-ve për të ndaluar dërgimin e disa pajisjeve ushtarake në Ukrainë. Këtë e konfirmoi edhe Yuri Ushakov, një këshilltar i Putinit.

Trump theksoi gjithashtu se ndonëse SHBA-të nuk e kanë ndaluar plotësisht ndihmën ushtarake për Ukrainën, vendimi i administratës së mëparshme për të dërguar pajisje të shumta mund të ketë rrezikuar sigurinë kombëtare amerikane. “Biden e zbrazi vendin tonë duke u dhënë armë. Duhet të sigurohemi që të kemi mjaftueshëm edhe për veten tonë,” tha ai.

Ai njoftoi se ditën e sotme do të zhvillojë një telefonatë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, për të diskutuar mbi situatën aktuale dhe vijimësinë e ndihmës ushtarake.

Ndërkohë, në Kiev është rritur shqetësimi pas pezullimit të pjesshëm të furnizimeve me armë nga SHBA. Zyrtarë të lartë ukrainas kanë komunikuar me përfaqësues të administratës Trump në Ukrainë, duke paralajmëruar se ndërprerja e ndihmës do të dobësonte ndjeshëm aftësinë e vendit për vetëmbrojtje.

Pak ditë më parë, Trump kishte shprehur gatishmëri për të dërguar një sistem mbrojtës raketor Patriot në Ukrainë, por qëndrimi i tij i fundit ka krijuar paqartësi mbi politikat e ardhshme të Shtëpisë së Bardhë ndaj luftës ruso-ukrainase.