“Jam shtetas britanik, s’besoj tek drejtësia shqiptare”/ Vrau fqinjin, Ylber Jaku në gjykatë: Pashë si u rropatën prindërit e mi për 20 vite

Ylber Jaku, 41 vjeç, i dyshuari për vrasjen e fqinjit të tij, Reshit Sallahu, më 7 maj në fshatin Plan të Hasit, ka kërkuar përfaqësues të ambasadës angleze gjatë seancës në Gjykatën e Kukësit, ku iu caktua masa e sigurisë “arrest me burg”.

Sipas avokates së caktuar nga shteti, Jaku ka refuzuar të flasë për ngjarjen dhe ka deklaruar se nuk ka besim te drejtësia shqiptare, duke përmendur vështirësitë që, sipas tij, kanë përjetuar prindërit e tij për më shumë se 20 vite.

“Unë jam shtetas britanik, të vijnë përfaqësues të ambasadës angleze. Kam parë se si janë rropatur prindërit e mi për 20 vite, nuk kam besim dhe nuk flas tek kjo drejtësi,” ka thënë Jaku në gjykatë, duke shtuar se është i martuar me një grua angleze dhe është babai i dy vajzave.

Sherri për pronat dhe përshkallëzimi i konfliktit

Krimi i rëndë ndodhi pas një konflikti 20-vjeçar mes dy familjeve fqinje, që dyshohet të ketë nisur për shkak të pronësisë mbi tokën. Sipas hetimeve, tensionet u përshkallëzuan më tej dy ditë para vrasjes, kur motra e viktimës, Reshit Sallahu, sulmoi me sëpatë prindërit e Ylber Jakut, duke i plagosur rëndë.

Pasi vizitoi prindërit e tij në spitalin ushtarak, Jaku u kthye në fshatin Plan dhe i zuri pritë fqinjit të tij, duke e qëlluar tetë herë me pushkë pranë shtëpisë së tij, duke e lënë të vdekur në vend. Pas krimit, ai priti policinë në banesën e tij, së bashku me armën e krimit.

Sipas informacioneve, konflikti mes dy familjeve është denoncuar në mënyrë të përsëritur pranë institucioneve përkatëse, por pa asnjë ndërhyrje të efektshme për ta zgjidhur. Kjo neglizhencë, sipas Jakut, ishte një nga arsyet kryesore që e shtyu drejt këtij akti të rëndë.