“Jam pa fjalë”/ Klotilda Bushka reagon pas përmendjes në hetimin e SPAK: Mezi pres të dëgjohem nga ata që kanë përfshirë emrin tim

Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, ka reaguar publikisht për përfshirjen e saj në një akt-hetim të SPAK, lidhur me rastin e dosjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Në një postim në Facebook, Bushka shprehet e habitur që emri i saj është përfshirë në këtë hetim, ndonëse ajo nuk është thirrur asnjëherë nga Prokuroria e Posaçme.

“Jam pa fjalë prej 24 orësh që figurokam edhe unë në listën e gjatë të emrave që ka grumbulluar SPAK-u për të lënë Tiranën pa kryetar bashkie, bazuar në dyshime të lidhura me njëra-tjetrën si në një film,” shkruan Bushka.

Deputetja akuzohet për kryerjen e veprimeve që, sipas SPAK, kanë penguar zbulimin e së vërtetës në këtë çështje. Bushka thekson se është krenare për miqësinë e saj me Veliajn dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën, të cilën e konsideron shoqe fëmijërie.

“Në rininë e parë ishim të afërta dhe jam krenare për miqësinë me Erjonin dhe për gjithçka ai ka bërë për Tiranën,” shton ajo në reagimin e saj.

Në përfundim të postimit, Bushka shprehet se pret me padurim të dëgjohet nga hetuesit e SPAK. “Mezi pres të dëgjohem nga ata që kanë futur edhe emrin tim në një akt-hetimi, pa më thirrur asnjëherë,” shkruan deputetja.

REAGIMI

Jam “pa fjalë” prej 24 orësh që figurokam edhe unë në listën e gjatë të emrave që ka grumbulluar SPAK-u për të lënë Tiranën pa kryetar bashkie, bazuar në dyshime të lidhura me njëra-tjetrën si në një film, për të cilat maksimumi i akuzave për Erjon Velinë dhe Ajola Xoxën, mund të ngrihej në gjendje të lirë. Por kjo është një temë tjetër.

Pyetja ime është ku hyj unë në këtë mes dhe pse duhet të më takonte sipas SPAK-ut balta që i shoqëron këto goditje të tij, për të cilat më shpejt vihen në dijeni disa gazetarë “specialë”, se sa kush përgojohet pa u pyetur fare?

A jam unë shoqe që nga fëmijëria me Ajola Xoxën?

Po, dhe s’kam për ta mohuar, as harruar kurrë.

A jam unë edhe shoqe me Erjonin?

Po, që në rininë e parë dhe jam krenare edhe për miqësinë me Erjonin dhe për gjithçka ai ka bërë për Tiranën.

A kam folur me Ajolën gjatë këtyre muajve të ferrit që ajo po kalon, duke u gjendur nën një presion të frikshëm mediatik, përveçse në një proces që për mua ka shumë pikëpyetje?

Po, kam folur dhe do flas sa herë të më kërkojë apo ta kërkoj. Por kurrë për të mbuluar të vërtetën, sepse halli s’ka qenë asnjëherë se si e vërteta që Ajola ka ndarë me mua të mbulohet. Halli ka qenë dhe sot është edhe më i madh, se si e vërteta e Ajolës të mos mbulohet.

Thënë sa më lart, kam kërkuar të dëgjohem nga grupi parlamentar. Kjo është vërtetë e tepërt dhe mezi pres të dëgjohem edhe nga ata që kanë futur edhe emrin tim në një akt-hetimi, pa më thirrur asnjëherë.