“Jam kthyer në punë” – Shqiptari sfidon autoritetet britanike, pritet të dëbohet për herë të tretë pas dënimit për trafik droge

Autoritetet britanike janë në përpjekje për të deportuar për herë të tretë një shtetas shqiptar, i cili ka qenë i përfshirë në aktivitet kriminal të trafikut të drogës dhe ka hyrë në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar disa herë.

Bëhet fjalë për Ronaldo Zani, 26 vjeç, i cili është deportuar dy herë më parë, për herë të parë në vitin 2019, pasi u kap duke shitur kokainë. Vetëm pak muaj pas dëbimit, Zani u rikthye sërish në Britani, duke u thënë klientëve të tij: “Jam kthyer në punë”.

Mediat britanike raportojnë se Zani u kap sërish me drogë dhe u dënua me tre vite burg, ndërsa u deportua për herë të dytë në maj të vitit 2021. Megjithatë, ai arriti sërish të hyjë ilegalisht në Britani, duke u fshehur në pjesën e pasme të një kamioni.

Më 13 shkurt 2025, ai u ndalua nga një oficer policie në qytetin Bournemouth, teksa drejtonte një Mercedes. Gjatë kontrollit, policia gjeti 1,935 paund cash dhe 24.75 gram kokainë, me një vlerë në rrugë deri në 2,500 paund.

Zani ka deklaruar se është përfshirë në trafikun e drogës pasi kishte një borxh prej 15 mijë paund ndaj një bande të kontrabandës së njerëzve që e ndihmoi të kthehej në Britani. Ai pretendon se fillimisht punonte në mënyrë të ndershme, por nuk arrinte të përballonte pagesën ndaj trafikantëve dhe për këtë arsye u përfshi si korrier droge.

Aktualisht, ai është dënuar me 4 vite burg dhe pas përfundimit të dënimit pritet të deportohet sërish nga Mbretëria e Bashkuar. Rasti i tij ka shkaktuar debat në Britani mbi dështimet e sistemit të emigracionit për të penguar rikthimin e personave të rrezikshëm që janë dëbuar më parë për shkelje të rënda penale.