“Jam i dashuruar!” Fero zbulon romancën e re mes akuzave për ish-bashkëshorten Arbenita Ismajli: Sfidoj meshkujt…
Ish-reperi Feronit Shabani, i njohur si Fero, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, mes polemikave dhe një rrëfimi të ri për jetën e tij personale. Pas një ndarjeje të bujshme me ish-bashkëshorten Arbenita Ismajli, të shoqëruar me akuza dhe tensione për kujdestarinë e vajzës së tyre Nina, Fero ka habitur publikun duke pranuar se është në një lidhje të re romantike.
I ftuar në emisionin “The Way Elite”, Fero tha se është i dashuruar si kurrë më parë, por refuzoi të zbulojë identitetin e vajzës që i ka rrëmbyer zemrën. “Jam i dashuruar, me të thënë të drejtën, nuk ma kishte marrë mendja se do dashurohesha kaq shpejt. I sfidoj të gjithë meshkujt shqiptarë se askush nuk është më romantik se unë,” u shpreh ai, duke shtuar me humor se tani do të realizojë “diss”-e për romantizmin.
Ndërkohë, kujdestaria e vajzës Nina mbetet një mollë sherri mes ish-çiftit. Fero ka akuzuar publikisht Arbenitën se nuk e lejon të takojë vajzën dhe ka ngritur akuza të rënda për mënyrën e saj të jetesës. Ai e ka cilësuar atë si të dhënë pas luksit, duke pretenduar se kjo ishte arsyeja që martesa e tyre përfundoi.
“Ajo donte të ishte e lirë, të shkonte në jahte dhe të ndiqte luksin. Femrat që kërkojnë këtë mënyrë jetese nuk duhet të krijojnë familje,” tha Fero, duke shtuar se vajza është viktimë e këtyre vendimeve. Ai ka akuzuar gjithashtu Arbenitën se përdor statusin e saj si nënë për të dëmtuar imazhin e tij publik.
Fero foli edhe për një rast të mëparshëm dhune që e çoi atë në burg për një muaj në vitin 2023. Ai mohoi të ketë ushtruar dhunë ndaj Arbenitës, duke pretenduar se gjithçka ishte inskenuar nga ana e saj.
“Ajo më provokonte dhe më incizonte fshehtas për të mbledhur prova kundër meje,” tha ai.
Fero tregoi një rast ku thyerja e telefonit të saj çoi në arrestimin e tij.
“E pashë që po më regjistronte dhe i theva telefonin. Nuk kam ushtruar dhunë ndaj saj. Gjithçka ishte një plan për të më marrë vajzën,” u shpreh ai.
Fero tha se ky është hera e fundit që flet publikisht për këtë çështje, duke shtuar se do të presë drejtësi nga Zoti nëse shteti nuk ndërhyn. Ai shpreson të jetë zëri i atyre që kalojnë situata të ngjashme dhe kërkoi që ish-bashkëshortja të reflektojë për të mirën e vajzës së tyre.
Megjithatë, rrëfimi për romancën e tij të re duket se i ka sjellë një dritë të re në jetën e tij, mes sfidave të mëdha personale dhe familjare.