“Jam femër, mos shkruaj më pra”/ Si mesazhe zanore të një femre nga një profil i rremë në TikTok, e futën në kurth fatal Ramazan Mataj
Mesazhe zanore me zë gruaje, të dërguara nga një profil i rremë në TikTok me emrin “Majli 544”, çuan Ramazan Matajn në një pritë vdekjeprurëse në Shkodër më 5 janar.
Sipas dosjes hetimore, pas këtij profili fshihej autori i dyshuar i krimit, Arjon Hasaj, i cili përdori një adresë të rreme për të mashtruar viktimën. Hasaj e ftoi Matajn për takim në periferi të fshatit, ku më pas e qëlloi me pushkë automatike, duke e lënë të vdekur në vend.
Nga hetimet e policisë, u zbulua se Hasaj kishte regjistruar adresën me numrin e tij të telefonit. Në telefonin e viktimës u gjetën biseda me “Majli 544”, ku Mataj kërkonte prova që profili ishte vërtet një vajzë. Ai mori dy mesazhe zanore me zë gruaje, ku thuhej:
“Në mos besosh, lëre, mos shkruj më pra… unë femër jam…” dhe “Sonte ke rastin, shi asht tu ra… bukur do ishte…”.
Të bindur nga këto mesazhe, Mataj shkoi në vendin e takimit, por ra në kurth dhe u vra.
Pas krimit, Hasaj u identifikua përmes kamerave të sigurisë dhe u arrestua së bashku me vëllanë e tij, Klisman Hasaj. Në dëshminë e tij, autori i dyshuar deklaroi se motivi i vrasjes ishte ngacmimi i motrës nga ana e viktimës dhe ndikimi i tij në shkatërrimin e martesave të saj.
Arjon Hasaj akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”, ndërsa vëllai i tij akuzohet për “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”. Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për të dy.