“Jam 100% i fokusuar te qytetarët“/ Belind Këlliçi: Shumica e kandidatëve për Këshillin Bashkiak janë të PD
Kandidati i “Foltores” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, tha se lista e kandidatëve për këshillit bashkiak pjesë më e madhe e emrave janë të “Foltores”.
“Sa i përket Këshillit Bashkiak, lista e paraqitur sot nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka qenë një listë shumë përfaqësuese, që kryesohet nga Ilir Alimehmeti, dhe që vijon me ekonomistë, juristë, ekspertë, politologë etj. Shumica e kandidatëve, mbi 55%, janë të Partisë Demokratike. Pa diskutim. Kjo që ju them unë është e padiskutueshme”, tha ai.
Këlliçi theksoi se po punon për të hartuar politika konkrete në ndihmë të çifteve të reja, të cilët të kenë mundësi të blejnë apartamente dhe të mos largohen nga vendi.
“Asnjë interes, jam 100% i fokusuar te qytetarët e Tiranës. Jam duke parë, duke menduar për mundësitë, që çiftet e reja të blejnë një apartament, dhe që mos të ikin. Me kredi të buta dhe me një fond përkatës. Mendoj që prioritet, për një administrator qyteti, është të mbajë të rinjtë këtu”, theksoi ai.