Izraeli vonon votimin e armëpushimit, reagon Blinken: Normale në një negociatë kaq sfiduese

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar pas vonesës së Izraelit për të votuar marrëveshjen e armëpushimit të arritur ditën e djeshme. Në një konferencë për shtyp, Blinken u shpreh se pavarësisht vonesës, është “i sigurt” se marrëveshja për armëpushimin dhe çështjen e pengjeve do të nisë të zbatohet të dielën.

“Shiko, nuk është për t’u habitur që në një negociatë që ka qenë kaq sfiduese dhe e ngarkuar, mund të kemi ngecje në fund. Ne po mundohemi t’i shmangim këto ngecje,” tha Blinken.

Ai shtoi se ka pasur kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesin amerikan për Lindjen e Mesme, Brett McGurk, si dhe me ndërmjetësuesit nga Katari, për të zgjidhur situatën dhe për të përparuar procesin.

Nga ana tjetër, Izraeli ka fajësuar Hamasin për refuzimin e disa pjesëve të marrëveshjes, duke shkaktuar shtyrjen e votimit në kabinet. Pavarësisht kësaj, Blinken është shprehur optimist se marrëveshja do të hyjë në fuqi brenda afatit të parashikuar.