Izraeli sulmon kompleksin kërkimor bërthamor të Isfahanit në Iran
Sulmet ajrore izraelite të shtunën kanë goditur kompleksin kërkimor bërthamor të Isfahanit në Iran, i konsideruar si më i madhi në vend. Lajmin e bëri të ditur zëvendësguvernatori i provincës për agjencinë gjysmëzyrtare të lajmeve Fars. Sipas tij, megjithëse objektivi u godit, nuk është raportuar për rrjedhje të materialeve të rrezikshme. Banorëve të zonës u është kërkuar të shmangin lëvizjet pranë kompleksit për t’i dhënë mundësi personelit të shpëtimit dhe ekipeve të menaxhimit të krizave të ndërhyjnë pa pengesa.
Sipas autoriteteve lokale, disa zona të tjera të provincës Isfahan kanë qenë gjithashtu në shënjestër të sulmeve, por deri tani nuk raportohet për viktima. Zëvendësguvernatori bëri me dije se mbrojtja ajrore iraniane ka arritur të ndalojë një pjesë të sulmeve izraelite, megjithatë disa prej tyre goditën objektivat. “Shumica e shpërthimeve që u dëgjuan gjatë natës vinin nga angazhimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore, ndërsa të tjerat ishin rezultat i sulmeve të armikut”, citoi agjencia Fars.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare MEHR, Akbar Salehi, zëvendës për sigurinë dhe zbatimin e ligjit në zyrën e guvernatorit të Isfahanit, sqaroi se objektet e rafinerisë së naftës nuk u prekën nga sulmet. Nga ana tjetër, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA) raportoi se katër ndërtesa në kompleks kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Megjithatë, një zëdhënës i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit i cilësoi dëmet si të kufizuara.