Izraeli sulmon Jemenin për herë të parë pas armëpushimit SHBA-Houthi, Irani e dënon: Krim lufte!
Izraeli ka kryer sulme ajrore kundër porteve të Hodeidah dhe Al-Salif në Jemen, për herë të parë që nga marrëveshja e armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe grupit Houthi në fillim të këtij muaji.
Sulmet, të cilat janë raportuar nga Al Jazeera, janë kryer në përgjigje të lëshimit të raketave nga rebelët Houthi drejt territorit izraelit, disa ditë pas përfundimit të armëpushimit. Ushtria izraelite ka deklaruar se sulmet e së premtes kishin në shënjestër “infrastrukturën terroriste” dhe akuzoi rebelët Houthi se i përdorin portet për të “transportuar armë”.
Irani, aleat i Houthit, ka reaguar ashpër duke e cilësuar sulmin si një “krim lufte” dhe një “krim kundër njerëzimit”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit deklaroi se “sulmi ndaj infrastrukturës ekonomike dhe objekteve publike të Jemenit, përfshirë portet e Hodeidah, Ras Issa dhe Al-Salif, nuk është vetëm një shkelje flagrante e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, por gjithashtu përbën qartë një krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit”.
Marrëveshja e armëpushimit mes SHBA-së dhe Houthit përfshinte një angazhim nga Uashingtoni për të ndalur sulmet e tij në Jemen, ndërsa rebelët Houthi u zotuan të mos sulmonin korridoret e transportit detar në Detin e Kuq.