Izraeli paralajmëron sulme të fuqishme në Iran pas shkeljes së armëpushimit: Do godasim në zemër të Teheranit
Tensionet në Lindjen e Mesme kanë arritur kulmin këtë mëngjes, pasi Izraeli ka paralajmëruar sulme të ashpra ndaj Iranit, pas shkeljes së armëpushimit nga ana e Teheranit. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, përmes një deklarate zyrtare ka bërë të ditur se i ka dhënë urdhër Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të përgjigjen me forcë pas lëshimit të një breshëri raketash nga Irani në drejtim të veriut të Izraelit.
“Kam urdhëruar IDF të godasë me intensitet objektivat e regjimit iranian në zemër të Teheranit. Shkelja e armëpushimit nuk do të mbetet pa përgjigje,” deklaroi Katz, duke paralajmëruar një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Sipas ushtrisë izraelite, raketat e lëshuara nga Irani u identifikuan menjëherë dhe u aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërkohë që qytetarëve iu kërkua të strehohen në ambiente të sigurta.
Nga ana tjetër, ende nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet iraniane për këtë sulm të ri me raketa, megjithëse më herët ministri i Jashtëm iranian kishte deklaruar se sulmet nga Irani do të ndalonin vetëm nëse edhe Izraeli do të respektonte armëpushimin.