Izraeli mbyll ambasadat në të gjithë botën pas sulmeve ndaj Iranit, qytetarëve u kërkohet vigjilencë maksimale

Pas nisjes së një vale të gjerë sulmesh ajrore ndaj Iranit, Izraeli ka marrë masa të forta sigurie duke mbyllur përkohësisht të gjitha ambasadat dhe përfaqësitë e tij diplomatike në mbarë botën.

Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Jashtme izraelite, e cila paralelisht ka pezulluar edhe ofrimin e shërbimeve konsullore në të gjitha vendet ku ka përfaqësi.

Përmes një komunikate zyrtare, qytetarëve izraelitë që ndodhen jashtë vendit u është bërë thirrje të jenë jashtëzakonisht vigjilentë. Ata janë këshilluar të shmangin ekspozimin e simboleve izraelite apo hebraike në ambiente publike dhe të bashkëpunojnë me autoritetet lokale të sigurisë në çdo rast dyshimi ose rreziku.

Ministria e Jashtme ka rikujtuar gjithashtu detyrimin që qytetarët izraelitë të ndodhur jashtë vendit të plotësojnë një formular të veçantë, ku të njoftojnë mbi vendndodhjen dhe gjendjen e tyre.

Kjo praktikë është përdorur edhe pas sulmeve të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, për të ndihmuar koordinimin e kthimit të rezervistëve dhe organizimin e fluturimeve të posaçme drejt Izraelit.