Edhe pse Uashingtoni i ka bërë presion Tel Avivit dhe Hamasit për të arritur një marrëveshje paqeje sulmet ushtarake nga ushtria izraelite kanë vijuar.
Banorët në qytetin e Gazës kanë mbetur të bllokuar për shkak të sulmeve intensive. Qyteti i Gazës u shkatërrua gjatë javëve të para të luftimeve të vitit të kaluar, por qindra mijëra palestinezë janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se ka të vrarë brenda shumë banesave në lagjet Tel Al Hawa dhe Sabra të qytetit të Gazës, por ekipet e shpëtimit e kanë patur të pamundur të shkojnë në këto zona. Mendohet se numri i viktimave është të paktën 30. Pavarësisht udhëzimeve të ushtrisë izraelite të mërkurën për banorët e qytetit të Gazës se ata mund të përdorin dy “rrugë të sigurta” për t’u nisur drejt jugut, shumë banorë refuzuan t’i binden urdhrit.
Militantët e Hamasit thonë se sulmet intensive në qytetin e Gazës këtë javë mund të shkatërrojnë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. Një qëndrim i tillë vjen pasi negociatat kanë hyrë në një fazë të rëndësishme.