Izraeli godet televizionin shtetëror iranian gjatë transmetimit live, prezantuesja e tmerruar largohet me vrap
Përshkallëzimi i përplasjes mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e katërt, duke sjellë zhvillime dramatike në të dy vendet. Një ngjarje tronditëse ndodhi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në televizionin shtetëror iranian, kur ndërtesa u godit nga bombardimet izraelite. Prezantuesja, e cila shihej duke kërcënuar me gishtin para kamerës, u detyrua të largohej me nxitim nga studioja. Pamje që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë godinën e televizionit të përfshirë nga flakët, ndonëse autoritetet nuk kanë dhënë detaje për dëmet.
Sipas mediave ndërkombëtare, sulmet izraelite kanë pasur si objektiv edhe struktura të tjera ushtarake në Teheran. Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar “sulmin më të madh dhe më të ashpër raketor në histori” ndaj territorit izraelit. Gardat Revolucionare i kanë bërë thirrje popullsisë së Tel Avivit të largohet menjëherë nga qyteti për arsye sigurie, ndërsa paralelisht kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka këshilluar banorët e Teheranit të evakuohen.
Situata mbetet kritike, me humbje të rënda në të dyja vendet: të paktën 24 të vdekur në Izrael dhe 224 viktima në Iran, që nga fillimi i armiqësive. Frika mes civilëve është në rritje, me mijëra qytetarë që përpiqen të braktisin zonat e konfliktit.
Në planin diplomatik, presidenti i SHBA Donald Trump konfirmoi se Irani kërkon të zhvillojë bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për të ndalur luftën. “Irani nuk po fiton këtë luftë dhe duhet të ulet në tryezën e dialogut para se të jetë shumë vonë”, deklaroi Trump gjatë samitit të G7. Ai theksoi se SHBA nuk do të nënshkruajë deklaratën e G7 për konfliktin, ndërsa Izraeli po përgatitet për një operacion të gjatë me mbështetje të heshtur nga Uashingtoni.
Nga ana tjetër, Moska ka shprehur mbështetje për të drejtën e Iranit në vetëmbrojtje dhe ka bërë thirrje për përmbajtje, ndërkohë që aeroplanmbajtësja amerikane Nimitz po lëviz drejt Lindjes së Mesme për të monitoruar situatën.