Italianët plasin skandalin! Zbulohet mega skema e rimbursimeve fiktive në Shqipëri nga CFO Pharma dhe Bioplus
Një artikull i publikuar sot nga gazetari Klodian Tomorri, në Kapitali zbërthen një nga skemat më abuzive në shëndetësinë shqiptare, që ka në qendër rimbursime fiktive për barna të specializuara, të destinuara për pacientë me probleme të rënda në frymëmarrje.
Bëhet fjalë për ilaçet Foster dhe Trimbow, dy medikamente të prodhuara nga kompania italiane Chiesi Farmaceutici, që përdoren për trajtim afatgjatë të sëmundjeve kronike të rrugëve të frymëmarrjes, përfshirë astmën bronkiale dhe sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (SPOK). Këto medikamente janë të regjistruara dhe shpërndahen ekskluzivisht nga vetë prodhuesi në tregun shqiptar, çka do të thotë se nuk mund të ekzistojnë sasi të tjera në treg përveç atyre që ka sjellë zyrtarisht Chiesi.
Por, siç do të zbulojmë më poshtë, të dhënat zyrtare të rimbursimeve të ofruara nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në Shqipëri tregojnë një sasi shumëfish më të madhe të barnave të rimbursuara sesa ato që janë futur realisht në vend. Ky mospërputhje alarmoi kompaninë italiane, e cila nisi një hetim të thelluar që zbuloi një skemë të mirëorganizuar mashtrimi financiar, ku përfshihen kompani farmaceutike private, farmaci, dhe vetë institucionet publike si Fondi i Sigurimeve dhe Ministria e Shëndetësisë.
Chiesi Farmaceutici, një nga emrat më të mëdhenj në industrinë farmaceutike europiane, është furnizuesi ekskluziv në Shqipëri i dy ilaçeve të rëndësishme për trajtimin e astmës dhe sëmundjeve kronike të mushkërive: Foster dhe Trimbow. Të dy këto barna përmbajnë kombinime të substancave aktive që ndihmojnë në hapjen e rrugëve të frymëmarrjes dhe përdoren nga mijëra pacientë me probleme serioze pulmonare.
Duke analizuar shifrat zyrtare të rimbursimeve për këto dy medikamente, drejtuesit e Chiesi u përballën me një mospërputhje të frikshme: në Shqipëri ishin rimbursuar mijëra kuti më shumë sesa ishin futur realisht në vend nga vetë kompania. Për ilaçin Foster, rezultonin rreth 20 mijë njësi të rimbursuara pa mbulesë reale, ndërsa për Trimbow, shifra ishte edhe më e lartë.
Kjo zbuloi për italianët një skemë mashtrimi të mirëorganizuar, ku barnat që nuk ekzistonin fizikisht në treg, falsifikoheshin në letra si të pranishme dhe më pas llogariteshin si të shitura në farmaci, duke përfituar rimbursim nga shteti.
Kush qëndron pas mashtrimit?
Në qendër të këtij mekanizmi mashtrues ndodhet kompania CFO Pharma, e lidhur me disa subjekte të tjera që shërbenin si “satelitë” për të simuluar lëvizjen e barnave në treg. Një prej tyre, Pharma Plus, u krijua nga biznesmeni Agron Shehaj, por më pas kaloi në pronësi të njerëzve të afërt me Nadir Çaushollin, një biznesmen që lakohet përherë e më shumë për lidhje të dyshimta. Kompania kishte të njëjtën adresë dhe numër kontakti me CFO Pharma, gjë që konfirmon lidhjet e ngushta mes tyre.
Edhe përfaqësuesit e dy kompanive kanë foto me njëri tjetrin.
E njëjta skemë u përdor edhe me kompaninë tjetër, Medyx Albania (tashmë me emrin Elartis), e cila, ndonëse formalisht themeluar nga shtetas të huaj, operonte gjithashtu nga ambientet e CFO Pharma.
Këto kompani deklaruan në mënyrë fiktive mijëra kuti Foster dhe Trimboë si pjesë e inventarit të tyre, pa i blerë asnjëherë nga Chiesi apo ndonjë distributor i ligjshëm. Më pas, barnat u “shitën” në letra te CFO Pharma, e cila në vijim i “shiti” në farmaci si Bio Plus dhe MediGreen, në pronësi të Iris Aliajt, bashkëshortes së ish-zyrtarit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Gazmend Aliaj.
Farmacitë Bio Plus dhe Medigreen ishin në qendër të skandalit të rimbursimeve fiktive që shpërtheu në vitin 2019. Në atë kohë, prokuroria e Tiranës e arrestoi Aliajn, por dy muaj më vonë gjykata i lehtësoi pozitat e tij me masën detyrim paraqitje.
Këto farmaci, të njohura për skandale të mëparshme me rimbursime fiktive, paraqitën dokumente në FSDKSH për të marrë rimbursim për barna që realisht nuk ekzistonin, duke përfituar qindra mijëra euro në mënyrë të paligjshme.