Italia shpall 5 ditë zie kombëtare për vdekjen e Papa Françeskut! Siguria vlen 5 mln euro

Qeveria Italiane ka shpallur pesë ditë zie kombëtare pas vdekjes së Papa Françeskut.

Zia do të zgjasë deri të shtunën, kur varrimi i papës së ndjerë do të bëhet jashtë Bazilikës së Shën Pjetrit.

Imazhet e Papës në një arkivol të hapur janë publikuar nga Vatikani, ndërsa trupi i tij do të zhvendoset në Bazilikën e Shën Pjetrit për zi publike të mërkurën. Një meshë mortore do të mbahet në orën dhjetë në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të shtunën, e kryesuar nga Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit të Kardinalëve.

Për sigurinë, është akorduar një fond prej 5 milionë euro.

Trump, Steinmeier, Macron…

Në varrim pritet të marrin pjesë të ftuar të shumtë nga mbarë bota. Prezencën e ka njoftuar edhe presidenti amerikan Donald Trump. Presidenti federal Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari në detyrë Olaf Scholz priten nga Gjermania. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai ukrainas Volodymyr Zelenskyy po ashtu planifikojnë të udhëtojnë në Romë, si dhe shumë të tjerë.

Papa dhe testamenti i tij

Papa caktoi vetë me testament vendin se ku do të varroset. Papa nuk do të varroset nën Bazilikën e Shën Pjetrit, si shumë papë para tij, por në bazilikën e Santa Maria Maggiore. Papa Françesku e kishte shënuar këtë në testamentin e tij. Mbi varrin e tij duhet të shkruhet vetëm emri: Franciscus.

Shpenzimet e varrimit do të mbulohen nga donacionet. Në Bazilikë ka edhe varre të papëve të mëparshëm. Papa i fundit u varros këtu më shumë se 350 vjet më parë. Papa Françesku, emri i vërtetë i të cilit ishte Jorge Mario Bergoglio, mbajti detyrën më të lartë në Kishën Katolike për më shumë se dymbëdhjetë vjet.

Besimtarët do të mund të përshëndeten me Papën në Vatikan. Ndërsa Konklava për zgjedhjet e pasardhësit të tij do të mbahet në maj. Të drejtën e votës kanë aktualisht 135 kardinalë nën 80-vjeç. “Tymi i bardhë” sinjalizon zgjedhjen e papës së ri.