Italia rinis transferimin e emigrantëve në Shqipëri! Gati anija për t’i dërguar në Gjadër dhe Shëngjin

Qeveria italiane ka rifilluar operacionin për transferimin e emigrantëve në Shqipëri, pas një pezullimi prej dy muajsh. Mediat italiane raportojnë se anija patrulluese e Marinës, Cassiopeia, është në detyrë në Mesdheun qendror dhe gati për të transportuar emigrantët në qendrat e pritjes në Gjadër dhe Shëngjin, bazuar në marrëveshjen e arritur mes Tiranës dhe Romës vitin e kaluar.

Operacioni nis pa pritur opinionin e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, e cila po shqyrton disa ankesa mbi këtë çështje. Në anijet transportuese do të jenë të pranishëm përfaqësues të UNHCR-së për të mbikëqyrur respektimin e të drejtave të azilkërkuesve.

Aktualisht, Cassiopeia ndodhet pranë brigjeve të Lampedusa dhe është gati për të realizuar transferimin e emigrantëve drejt Shqipërisë. Ky veprim vjen në vijim të një vendimi të Gjykatës së Kasacionit, e cila konfirmoi të drejtën e qeverisë italiane për të vlerësuar sigurinë e vendeve të origjinës së emigrantëve.

Marrëveshja mes dy vendeve synon të lehtësojë presionin mbi sistemin e azilit në Itali dhe të garantojë pritjen e sigurt të emigrantëve në Shqipëri.