Italia refuzon azilin për të gjithë emigrantët e dërguar në Shqipëri
Autoritetet italiane refuzuan ditën e sotme kërkesat për azil të 43 azilkërkuesve të transferuar në Shqipëri me një procedurë të shpejtë teksa një delegacion joqeveritar që vëzhgonte procesin tha se i privoi në mënyrë të paligjshme nga asistenca ligjore.
“Komisioni po funksionon qartë në përputhje me dëshirën e shprehur të qeverisë për të refuzuar kërkesat për azil, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, europian dhe kushtetues”, thuhet në një deklaratë të Bordit të Azilit dhe Emigracionit TAI.
Emigrantët ishin mes 49 personave që u transferuan në Gjadër me një anije detare italiane të martën sipas një marrëveshjeje pesëvjeçare me Shqipërinë për të përpunuar rastet e azilit jashtë kufijve të BE-së në qendrat e ndërtuara dhe të operuara nga Italia. Mediat italiane raportuan se ata ishin nga Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia. Pesë emigrantë u sollën menjëherë në Itali, pasi ishin të mitur ose konsideroheshin të pambrojtur.
Nga të tjerët, 43 iu nënshtruan një seance të shpejtë për azil. Një çështje shtesë do të shqyrtohet veçmas.
Ky ishte grupi i parë i emigrantëve që u procedua, pasi gjykatat në Itali refuzuan të miratonin transferimin në Shqipëri të dy grupeve të sjellë atje vitin e kaluar.
43 azilkërkuesit nuk kishin këshilltar ligjor, as nuk kishin kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur siç duhet për seancën, tha delegacioni. Në të gjitha rastet, autoritetet e konsideruan kërkesën për azil “të pabazuar”.
“Këto janë vendime që përfshijnë jetën e azilkërkuesve që kanë histori të tmerrshme dhune dhe torturash pas tyre dhe ato nuk mund të merren në një periudhë kaq të shkurtër kohore pa mundësinë e ndihmës juridike”, tha TAI.
Azilkërkuesit kanë shtatë ditë kohë për të shkuar në një gjykatë italiane për të apeluar vendimin, ose do të përballen me dëbimin direkt nga Shqipëria sipas një marrëveshjeje mes dy vendeve. Italia nuk ka qenë e qartë se si do të riatdhesonte njerëzit, kërkesat e të cilëve u refuzohen.