Italia përballet me mot ekstrem! Një e vdekur dhe dy të plagosur nga stuhia në Milano, jugu digjet nga vapa përvëluese

Italia po përjeton ditë me mot ekstrem dhe pasoja dramatike, me veriut që goditet nga stuhitë vdekjeprurëse dhe jugun që përvëlohet nga vala e të nxehtit ekstrem e shoqëruar me zjarre shkatërruese.

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në San Vittore Olona, ku një grua 63-vjeçare humbi jetën pasi një pemë e madhe u rrëzua mbi të gjatë një shëtitjeje në Cascina Induno, një zonë e pyllëzuar pranë Robecchetto-s, gjatë një stuhie të fuqishme në zonën e Alto Milanese. Ajo ndodhej me dy persona të tjerë – një grua 68-vjeçare dhe një burrë 70-vjeçar – të cilët mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital, pa rrezik për jetën.

Stuhia ka shkaktuar dëme të shumta materiale, ndërprerje energjie dhe mbi 50 ndërhyrje nga zjarrfikësit në Milano dhe periferi. Mbrojtja Civile kishte paralajmëruar për reshje të dendura dhe erëra të forta, duke ngritur barriera mbrojtëse në zona të rrezikuara si lumi Seveso dhe lagjja Ponte Lambro.

Ndërkohë, në jug të Italisë situata është po aq e rënduar, por për shkak të temperaturave përvëluese, që në disa rajone tejkalojnë 40°C.

Në Palermo, autoritetet kanë ndaluar qarkullimin e automjeteve të tërhequra nga kafshët, si një masë emergjente për mirëqenien e tyre, pas alarmit të lëshuar nga Departamenti i Mbrojtjes Civile për valën ekstreme të të nxehtit që pritet të godasë Siçilinë. Kryetari i bashkisë, Roberto Lagalla, ka lëshuar një urdhëresë të posaçme, të mbështetur nga këshilltari për mirëqenien e kafshëve, Fabrizio Ferrandelli, që e cilëson situatën si kërcënim serioz për jetën e kafshëve në qendrat turistike.

Po ashtu, në rajonin e Puglias, sidomos në zonën e Salentos, zjarre të mëdha kanë përfshirë mijëra hektarë ullishte dhe tokë bujqësore. Sipas organizatës Coldiretti Puglia, shkaktar është sëmundja Xylella, që ka tharë pemët dhe i ka kthyer ato në “pishtarë natyralë”, me temperatura që gjatë përhapjes së flakëve arrijnë deri në 750°C.

Zjarret janë përshpejtuar nga thatësira ekstreme, temperaturat e larta, dhe braktisja e tokave të mbuluara me barishte e mbetje, duke shkaktuar re toksike tymi që kanë depërtuar edhe në zona të banuara.