Italia dhe Shqipëria nisin projektin e parë të përbashkët shëndetësor: analiza falas në anijen Ancona–Durrës, fokus te tumoret dhe obeziteti
Ka nisur fushata e parë e përbashkët shëndetësore mes Italisë dhe Shqipërisë, një nismë unike e cila synon parandalimin e tumoreve dhe obezitetit përmes analizave dhe ndërgjegjësimit mbi stilin e jetesës.
Projekti u prezantua në Ambasadën Shqiptare në Romë dhe u zhvillua në kuadër të edicionit të dytë të iniciativës “Anija Shëndetësore 2025”. Nga data 5 deri më 7 prill, në bordin e tragetit “AF Mia”, që përshkon linjën Ancona–Durrës, u hapën klinika mjekësore me 15 mjekë specialistë italianë, të cilët ofruan vizita dhe analiza falas për pasagjerët, si në udhëtim drejt Shqipërisë, ashtu edhe në kthim.
Fushata synon të trajtojë problematikat e obezitetit, që është një faktor rreziku për sëmundje të shumta, përfshirë kancerin. Sipas statistikave, 10% e italianëve dhe 12% e shqiptarëve janë në gjendje mbipeshë serioze. Nisma gjithashtu synon thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si gjenetika onkologjike, të ushqyerit klinik, kardiologjia, okulistika dhe kërkimi shkencor.
“Filluam në 2024 me ‘Nave della Salute’, dhe tani po zgjerojmë bashkëpunimin. Jemi në bisedime me autoritetet shëndetësore shqiptare për projekte konkrete në fusha kyçe, përfshirë edhe gjenetikën onkologjike që është ende e pazhvilluar në Shqipëri”, deklaroi Rossana Berardi, presidente e Fondacionit One Health.
Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani, theksoi rëndësinë e kësaj nisme: “Nga ky udhëtim i dyfishtë lind një bashkëpunim i ri dhe më i thelluar mes dy vendeve tona. Duam të mbështesim parandalimin dhe mirëqenien shëndetësore në mënyrë të plotë.”