Itali/ U hodh nga kati i tretë i shtëpisë, humb jetën tragjikisht 14-vjeçarja nga Vlora
Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Massafras në provincën e Tarantos, Itali, ku një vajzë shqiptare vetëm 14 vjeç humbi jetën pasi u hodh nga kati i tretë i banesës ku jetonte me familjen. Adoleshentja, me origjinë nga fshati Dukat i Vlorës, u transportua me urgjencë në spitalin “Santissima Annunziata” në Taranto, ku mbërriti me shenja jete, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë pak minuta më vonë.
Sipas mediave italiane, dyshohet se vajza mund të jetë shtyrë drejt aktit ekstrem si pasojë e bullizmit. Hetimet paraprake tregojnë se ajo ka qenë nën një tronditje të fortë psikologjike në momentin e ngjarjes.
Nëna e saj ka qenë në banesë në kohën kur ndodhi ngjarja dhe, sipas dëshmisë së saj, e ka parë të bijën teksa ka hapur dritaren dhe është hedhur. Kjo dëshmi është konfirmuar edhe nga banorë të tjerë të pallatit.