Itali/ Shqiptari vdes në rrugë pak metra larg shtëpisë, po sillte peshkun për darkë tek gruaja dhe fëmijët

Një darkë familjare u kthye në një skenë dhimbjeje dhe dëshpërimi në Itali, ku një shqiptar humbi jetën vetëm 100 metra larg banesës së tij, ndërsa po kthehej me peshkun që kishte blerë për familjen.

Gruaja dhe fëmijët e tij mbërritën të parët në vendngjarje, vetëm për të përjetuar tmerrin e një fundi të parakohshëm.

Viktima është shqiptari Artur Çela, 54 vjeç, me origjinë nga Durrësi, i cili prej vitesh jetonte në Portogruaro dhe punonte si shofer për një kompani ndërtimi.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Via Claudia, vetëm pak metra larg shtëpisë së tij. Artur Çela ishte nisur për të blerë peshk për darkën që do të kalonte me familjen e tij, bashkëshorten Suzana dhe dy fëmijët, Eni dhe Martina. Por, teksa po kthehej me motoçikletën e tij, një automjet tip Fiat 500 që po dilte nga një rrugë anësore u përplas me të me forcë.

Përplasja rezultoi fatale: motoçikleta u shkatërrua, ndërsa Çela u hodh në asfalt dhe goditi disa shtylla metalike që ndanin kalimin për biçikleta dhe këmbësorë. Ai humbi jetën në vend. Kaska e sigurisë i kishte fluturuar nga koka dhe trupi i tij mbeti i pajetë në rrugë, ndërsa familjarët, të njoftuar për aksidentin, mbërritën të parët në vendngjarje. Skena ishte tronditëse për të gjithë të pranishmit.

Shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit mbërritën menjëherë, por nuk mundën të bënin asgjë për të shpëtuar jetën e tij. Trupi i pajetë u transferua në morgun e qytetit me urdhër të autoriteteve gjyqësore, ndërsa Karabinierët e Portogruaros po hetojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe dinamikën e saktë të aksidentit.

Artur Çela ishte një person i dashur dhe i respektuar në komunitet. Ai kishte emigruar në Itali shumë vite më parë dhe në vitin 1994 ishte martuar me Suzanën, me të cilën kishte ndërtuar një familje të dashur dhe të qetë. Kolegët e përshkruajnë si njeri korrekt dhe të përkushtuar ndaj punës.

Ngushëllimet për familjen kanë qenë të shumta. Mes tyre edhe ai i kryetarit të bashkisë së Portogruaros, Luigi Toffolo, i cili tha: “Ngushëllimet e mia të sinqerta dhe një përqafim i madh për familjen e Çelës nga ana ime dhe e gjithë bashkisë”.